[ad_1]
Publiku i vogël shijoj gjatë fundjavës dy shfaqje “Libri i Paqes” dhe “Nata Magjike” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Shfaqja “Libri i Paqes”, solli për të vegjlit një histori piratësh dhe të një plaku të mençur. Në librin e paqes janë shkruar rregullat e reja që kanë vendosur piratët, të cilët pas takimit me Plakun e mençur e të verbër, kanë vendosur të shpërndajnë thesarin tek njerëzit e varfër. Dhe kështu, së bashku me plakun dhe Princeshën nisin aventurën e tyre të re.
Mirëpo Sirena e detit përpiqet t’i ndalojë. Qëllimet e saj janë dashakeqe,dëshiron me doemos të sjellë kaos dhe të prishë paqen në botë. Përmes aventurës, situatave komike, koreografisë kjo shfaqje përcolli tek të vegjlit mesazhin se, njeriu nuk duhet të ketë turp nga gabimet e tij pasi gabimet janë njerëzore. Ai duhet të mësojë prej tyre në mënyrë që të përmirësohet.
Kjo shfaqje u vë në skenë me regji Dajana Nenaj dhe nën interpretimin e aktorëve Ledjan Gjeçi, Xhoana Karaj, Julian Hurdha, Denardo Neziri, Greta Baci.
Të ëndërrosh gjatë natës është normale, por që ëndrrat të bëhen realitet, është magjike.
“Nata Magjike” solli për publikun e vogël një aventurë të mbushur me të papritura dhe me plotë mrekulli.
Kjo natë do të jetë speciale për dy vogëlushët Mia dhe Lars. Ka për të qenë një nga ato netë që ka për të ngelur gjatë në kujtimet e tyre më të bukura dhe që ka për t’i ndryshuar ata në një mënyrë apo në një tjetër.
Mia, vajza çamarroke, dhe Larsi, djali i sjellshëm, fillojnë udhëtimin e mrekullueshëm të kësaj nate, sigurisht me mikun më të mirë të njeriut, me librin. Mamaja iu lexon librin e tyre të preferuar dhe kaq mjafton për të filluar gjithçka.
Pyetjet e dy fëmijëve se: a ekziston bota magjike, a ekzistojnë zanat dhe përbindeshat, si mund t’i takojmë ata dhe si ta kontrrollojmë frikën, do të marrin përgjigje në këtë natë.
Fëmijët nga kjo shfaqje mësuan shumë gjëra që do iu vlejnë gjatë. Mia mësoj të sillet mirë dhe të mos e teprojë me lojrat, ndërsa Larsi mësoj se si mund të mposhtë çdo frikë, dhe e gjithë kjo bëhet me ndihmën e dy miqve të jashtëzakonshëm.
Kjo shfaqje erdhi me regji nga Kleard Gërmenji dhe nën interpretimin e aktorëve Lejda Çeli, Aleksandër Mitrollari, Mateo Dervishaj, Rexhina Ibro.
[ad_2]