Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi planin e masave lehtësuese për situatën e koronavirusit që do të nisë nga data 4 maj.
Në zonat e gjelbra, që konsiderohen me risk të ulët të përhapjes së koronavirusit do të shtohen disa zona të tjerë.
“Kemi vendosur që nga data 4 maj, të përfshihen si zona të gjelbra, bashkitë e Tropojës, Belshit, Rrogozhinës, Peqinit, Cërrikut, Urës Vajgurore, Beratit, Poliçanit, Skraparit, Devollit, Pustecit, Maliqit, Mallakastrës, Kolonjës, Vlorës, Selenicës, Gramshit dhe Kuçovës.
Këto do të kenë të njëjtat rregulla me zonat e gjelbra që njihni. Nga data 4 maj, do të lejohet shërbimi taksi ndërqytetas me 2 pasagjerë, anëtarë të së njëjës familje”, tha Manastirliu.
Ndersa berberët, parukeritë, qendrat tregtare dhe klinikat dentare janë konsideruar si vendet e punës më të rrezikuara nga koronavirusi.
Manastirliu tha se do të planifikohen lehtësime masash edhe për këto kategori duke nisur nga data 11 maj.
“Në planin tonë të dy javëve që do të pasojnë, duke filluar nga data 11 Maj e në vijim, planifikojme të vijojmë me disa lehtësime masash, por me protokolle rigoroze sigurie për një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare. Nga java që nis do të njihen me protokollet specifike, dhe do duhet që këto subjekte të marrin masa për organizimin e shërbimit me kushtet e reja”, tha Manastirliu.
Ajo u shpreh se po vlerësohet edhe zgjerimi i lëvizjes së automjeteve pa autorizim, brenda qarqeve dhe fashave orare 05:00-17:30.
Manastirliu deklaroi se nga data 18 maj e në vazhdim do të vlerësohet hapja e njësive të shërbimit si bare dhe restorante, vetëm për mjediset e hapura