Muzeu i Luvrit rrit çmimin e biletave me 5 euro
Çmimi i biletave për në muzeun e Luvrit është rritur me pesë euro, është bërë e ditur në faqen e muzeut të Parisit.
Nga kjo e hënë çmimi i biletës është rritur për gati 30 për qind, nga 17 në 22 euro.
Vizita në Luvër do të vazhdojë të jetë falas për personat nën moshën 18 vjeç dhe për banorët e zonës ekonomike evropiane nën moshën 26 vjeç.
Siç sqaroi menaxheri i muzeut, rritja e çmimit është pasojë e inflacionit dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Luvri është muzeu më i vizituar në botë. Në vitin 2022, koleksioni i tij, i cili mbulon 86 mijë metra katrorë, u shikua nga 7.2 milionë njerëz, gjë që solli 76.5 milionë euro në muze.
Në vitin 2023, numri i vizitorëve ishte 8.9 milionë, dhe 3.6 milionë vizitorë (41%) hynë falas në muze.