Agjencia kulturore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNESCO, vendosi të mos e fusë Venecian dhe kanalet e saj historike në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Qyteti italian, njëri nga destinacionet kryesore turistike në botë, ka qenë nën vëzhgimin e UNESCO-s kohëve të fundit, për shkak të turizmit masiv dhe rritjes së niveleve të ujit.
Por, gjatë takimit vjetor në Riad më 14 shtator, UNESCO – e cila e mban listën e trashëgimisë botërore, vendosi të mos e fusë atë në këtë listë, sipas REL. Komitetit për Trashëgimi Botërore i kësaj organizate takohet një herë në vit për ta përditësuar listën, dhe shumë vende e konsiderojnë përfshirjen në listë si vendimtare për turizmin dhe mundësinë për të marrë fonde për ruajtjen e zonave historike.
“Komiteti ka marrë vendim të mos e përfshijë Venecian në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik”, tha një burim për AFP.
Venecia është në rrezik nga rritja e niveleve të ujit, si pasojë e ndryshimit klimatik, numrit të tepërt të vizitorëve, sipas Lazare Eloundou Assomo, drejtorit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Në listën e UNESCO-s janë 1.157 zona, nga të cilat 900 kulturore, 218 natyrore dhe 39 të përziera. Ky vendim vjen në një kohë kur Venecia po planifikon ta bëjë me pagesë hyrjen për vizitorët ditorë nga viti i ardhshëm, në përpjekje për ta menaxhuar numrin e madh të turistëve që tërhiqen nga kanalet e saj historike, njoftoi këshilli i qytetit.
Pagesa për hyrje në Venecia do të jetë pesë euro për vizitorët ditorë. Pagesa do të vlejë si eksperiment për 30 ditë vitin e ardhshëm, dhe do të aplikohet në ditët e pushimit dhe fundjavat e verës kur numri i turistëve arrin kulmin. Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare duhet të paguajnë hyrjen.
The post UNESCO “rrëzon” Venecian: S`e fut në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik! appeared first on City Radio 88.0 FM.